Masakra e kryer në burgun e Dubravës në Kosovë në maj të vitit 1999 për vite me radhë shërben si „rasti gati më i madhi“ për zyren e prokurorisë së Serbisë për krime lufte. Janë dëgjuar një numër dëshmitarësh, janë përgatitur një numër kallëzimesh penale, në dispozicion janë gjetjet forenzike; dëshmitë e ekspertëve dhe ato të dëshmitarëve të mbijetuar janë shfrytëzuar në disa procese të ndryshme në Tribunalin e Hagës. Mirëpo, deri më sot nuk është ngritur asnjë padi.
Ka bazë të arsyeshme për të besuar se pjesëtarë të policisë speciale serbe kanë marrë pjesë në vrasjen dy-ditëshe të të burgosurve shqiptarë, duke marrë kontrollin mbi burgun së bashku me disa të burgosur serbë të përzgjedhur, dhe se në planifikimin dhe organizimin e krimeve ishte e përfshirë udhëheqja e atëhershme politike e Beogradit. Në listën e të dyshuarve deri tash janë 48 njerëz, ndërsa që prioritet i hetimit, të cilin e inicoi prokuroria në qershor të vitit të kaluar me anë të një urdhëri, janë autorët e drejtpërdrejtë të krimit. Të mëdhenjtë – ministrat, këshilltarët, gjeneralët dhe krerët e aparatit të Millosheviqit – u lanë për ndonjë fazë të mëtejshme të hetimit të krimeve në rastin e Dubravës, nëse do të ketë fare hetim ndonjëherë.
Qendra Ndëshkuese-Korrektuese Istog, siç quhej zyrtarisht në vitet e tetëdhjeta kur edhe u ngrit si një nga kompleks-burgjet më të mëdha dhe më moderne të rajonit, ndodhet në perëndim të Kosovës, në fshatin Dubravë të Istogut. Dallohej nga burgjet tjera në sistemin ndëshkimor të Serbisë vetëm për nga arkitektura moderne; brenda mureve mbizotëronte po e njëjta mikroklimë e torturës dhe korrupsionit. Për shkak të lokacionit specifik, Dubrava ishte nën vëmendje paksa më të madhe të syve të botës; nga gjithsej 46 të burgosur politikë të regjistruar në Kosovë në vitin 1997, 41 prej tyre gëzonin “standardin suedez” të Dubravës.
Deri kah mesi i vitit 1998 kapacitetet e burgut u shfrytëzuan dobët, dhe rreth katërqind të burgosur të kombësive të ndryshme, kryesisht shqiptarë, mbaheshin në blloqe të ndara veçanërisht. Pas njoftimeve të para për ndërhyrje ushtarake ndërkombëtare, e më vonë edhe sipas dëshmive të të burgosurve të mbijetuar, në burgun e Dubravës ishte sjellur numër shumë i madh njerëzish. Dëshmitarë të ndryshëm pohojnë se deri në mesin e vjeshtës, një pjesë e kompleksit është përdorur si bazë e njësisë speciale të policisë që udhëhiqej nga vrasësi më i njohur i këtij lloji nga Serbia, Milorad Ulemek “Legija”, dhe se në afërsi direkte ishin dislokuar njësitë ushtarake. Në Hagë janë regjistruar dëshmi sipas të cilave në atë kohë në Dubravë janë organizuar sulme të armatosura kundër fshatrave fqinje shqiptare.
Deri në fillim të intervenimeve të NATO-s më 24 mars të vitit 1999, qelitë e Dubravës ishin plot: shumë të burgosur shqiptarë u transferuan nga pjesë qendrore të Serbisë, dhjetra të burgosur për krime të rënda të kombësive serbe dhe malazeze dhe atë kryesisht nga burgu i Pozharevcit, si dhe shumë shqiptarë të Kosovës të arrestuar në ndërkohë, të cilët në Dubravë prisnin gjykimin për “prishje të rendit kushtetues”. Sipas të dhënave të ministrisë së atëhershme të drejtësisë, në qendrën ndëshkimore-korrektuese Istog ato ditë qëndronin 1,004 të burgosur, prej të cilëve më shumë se 90 përqind ishin shqiptarë.
Sulmin e parë në Dubravë, aeroplanët e NATO-s e kryen më 19 maj të vitit 1999, në orët e hershme të pasdites, ndërsa agjencia shtetërore Tanjug raportoi të jenë vrarë të paktën dy persona. Sulmi i dytë pasoi mëngjesin e 21 majit, kur nga deklaratat e para zyrtare u tha se ishin vrarë të paktën 19 të burgosur dhe se dhjetra tjerë kishin marrë lëndime të lehta por edhe serioze. Me atë rast ishte vrarë edhe zëvëndësi i drejtuesit të burgut. Po atë ditë, për në burg ishte nisur ekipi hetues i gjykatës së Pejës, të ndjekur nga ekipe të gazetarëve, por vizitën e kishte penguar alarmi i radhës. Pak ditë më vonë, në një deklaratë zyrtare, qeveria tha se në Dubravë kishin vdekur rreth 100 të burgosur, ndërsa rreth 200 tjerë ishin plagosur, dhe se mu në atë moment burgu po evakuohej. Gjykatësi hetues nga Peja njoftoi se burgu “ishte bërë rrafsh për tokë”, dhe se nga rrënojat ishin nxjerrur 86 trupa të cilët, siç kërkon procedura ligjore, janë identifikuar, nënshtruar analizës mjeko-ligjore (shenjat e gishtave, ekzaminimi i jashtëm dhe fotografimi) dhe më pas ishin varrosur në varrezat myslimane të komunës së Istogut. Njoftohej edhe se në spitalet përreth ishin dërguar 196 burgatarë të lënduar, dhe se një numër i pacaktuar ndodhej në arrati. Deri në fund të asaj jave, shifra zyrtare e të vrarëve në Dubravë thuhej të ishte 93. Të gjitha viktimat i’u mveshën NATO-s.
Brenda pak ditësh, burime të pavarura shfaqën dyshime ndaj verzionit zyrtar për atë se ç’kishte ndodhë, por zhvillimi i hetimeve duhej të priste tek pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, kur edhe ekipi forenzik nga Spanja zhvarrosi nga varrezat e fshatit Rakosh 97 trupat e meshkujve të moshës 18-60 vjeç, të cilët ishin varrosur si persona “të paidentifikuar” me etiketën e Qendrës korrektuese. Numri i viktimave që konsiderohej të ishin viktima të bombardimit ishte tani gjysma e numrit total të viktimave të gjetura. Në të paktën 50 persona u gjetën plagë nga predha prej armëve të dorës.
Disa nga emrat e viktimave të Dubravës për herë të parë shfaqen në aktakuzën e detajuar të gjykatës ndërkombëtare të Hagës ndaj Sllobodan Millosheviqit, për pjesën që përfshinte krimet e luftës në Kosovë. Prokuroria paraqiti argumentet se më datë 22 maj të vitit 1999 forcat serbe kishin urdhëruar të burgosurit të rreshtohen në oborr bashkë me gjërat e tyre personale, për një evakuim të organizuar për në burgun e Nishit, e pastaj mbi ta kishin hapur zjarr me armë automatike. Ditën tjetër, thuhej në aktakuzë, të burgosurit që mbijetuan ekzekutimin e parë e që përpiqeshin të fshiheshin në puset dhe bodrumet e kompleksit të burgut, vraheshin me bomba e plumba. Gjatë paraqitjes së dëshmive, u dëgjuan dëshmitë e dy të burgosurve të mbijetuar si dhe dëshmia e një gazetareje të BBC-së e cila kishte qenë në mesin e grupit të gazetarëve të cilët, me thirrje të drejtorisë së burgut, kishin vizituar burgun menjëherë pas sulmit të dytë ajror të NATO-s.
Vrasja e të paktën 50 të burgosurve në Dubravë, sa vlerësohej atëherë se mund të ketë qenë numri, u përfshi edhe në akuzën kundër “Grupit të Kosovës” që në fillim përbëhej nga gjeneralët Nebojsha Pavkoviq, Vlladimir Llazareviq, Sreten Llukiq dhe Vllastimir Gjorgjeviq, të cilëve i’u bashkuan më pas edhe politikanët Millan Millutinoviq dhe Nikolla Shainoviq. Pas një rishikimi të mëvonshëm, krimi në Dubravë përjashtohet nga aktakuza ndaj gjashtëshes së mësipërme “për shkak të përshtatshmërisë”. Supozohej se prokuroria shtetërore do të kishte interesim të mjaftueshëm për të marrë përsipër rastin dhe për të hetuar pohimet e dëshmitarëve të cilat jepnin indikacione se bëhej fjalë për një organizim kriminal të përbashkët mes njëjësve të ndryshëm përgjatë krejt zinxhirit komandues të gjyqësisë dhe policisë.
Doli se për rastin e Dubravës nuk kishte interesim të mjaftueshëm, ndërsa që harresa publike për këtë krim prishet tek në vitin 2010, me anë të kallëzimit penal që Fondi për të Drejtë Humanitare i paraqet prokurorisë për krime lufte, kundrejt 34 përgjegjësve për vrasjen e më shumë se 90 dhe plagosjen e më shumë se 150 të burgosurve shqiptarë, më 22 dhe 23 maj të vitit 1999.
Kallëzimi është paraqitur kundër ish-ministrit të drejtësisë së qeverisë së Serbisë, Dragoljub Jankoviq, zëvendësit të tij Zoran Stevanoviq, dhe asistentit të ministrit të brendshëm gjeneralit Obrad Stevanoviq, si dhe ndaj shumë emrave nga radhët e shefave të policisë dhe oficerëve të paidentifikuar të policisë nga Kosova, pjesëtarëve të autoriteteve të burgut dhe rojeve në Dubravë. Qendra për të Drejta Humanitare ka kërkuar hetimin pas dyshimit të bazuar se këta persona kishin planifikuar, organizuar, urdhëruar dhe marrë pjesë në vrasjen e të burgosurve të paarmatosur shqiptarë, si dhe në shkatërrimin e provave të krimit dhe fshehjen e autorëve të drejtpërdrejtë.
Në vitet pasuese vazhduan “hetimet paraprake”, gjatë të cilave ndër të tjera, u konstatua se dikush kishte dhënë urdhër që të burgosurit me kombësi serbe në burgun e Dubravës papritmas të transferoheshin, për çka edhe është marrë dëshmia e ish-ministrit të drejtësisë, përgjegjësit për vendime të atij niveli, por dëshmia u mor në cilësinë e qytetarit; është spekuluar edhe se prokuroria kishte një dëshmitar potencial-bashkëpunëtor nga radhët e larta të komandës që do të mund të jepte më shumë detaje lidhje me këtë krim.
Ndërkohë rezulton se ky kallëzim penal nga Qendra për të Drejta Humanitare nuk është i pari që ka pranuar prokuroria për krime të luftës lidhur me pushkatimin e të burgosurve të Dubravës. Shkresa me titull të çuditshëm “Kallëzim penal për krime lufte dhe vjedhje të pagave tona”, drejtuar kryetarit dhe qeverisë së Serbisë, prokurorisë dhe avokatit të popullit, mban datën 29 korrik 2008 dhe i referohet dy këshilltarëve të Ministrit të Drejtësisë, drejtorit të burgut të Dubravës si dhe kreut të shërbimit të sigurimit. Ky raport është hera e parë ku përmendet armatosja e të burgosurve serbë dhe përfshirja e tyre në krimin.
Sipas informatave jozyrtare që ka mbledhur Peščanik, me hetimin e deritashëm të prokurorisë është konfirmuar se të burgosurit me përkatësi serbe janë transferuar nga burgu i sigurisë maksimale të Beogradit, Nishit dhe Pozharevcit, me urdhër të, siç supozohet, ministrit të atëhershëm të drejtësisë. Në Dubravë, ata kanë gëzuar privilegje të veçanta: ndër të tjera, kanë përdorur motorolat zyrtare si dhe automjetet zyrtare brenda e jashtë kompleksit të burgut. Me fillimin e bombardimeve, atyre u janë bërë gati armët – janë armatosur me “pushkë automatike dhe gjysmë-automatike, shkorpionë, revole, municion, raketa-hedhës dore (zola), granata dore…” Pas kryerjes së punës, me kthimin e tyre në Serbi, armët dhe pajisjet tjera i kanë dorëzuar tek autoritetet e burgut – bashkë me procesverbal.
Informatat operative të deritashme bëjnë me dije se në agimin e 22 majit të vitit 1999, burgu i Dubravës ka qenë praktikisht nën kontroll të njësive të veçanta policore, anëtarët e të cilave janë radhitur brenda kompleksit të burgut, pasi që janë konsultuar me drejtorinë e burgut. Ata janë shoqëruar nga të dënuar serbë, të armatosur. Një prej tyre, me anë të altoparlantit u ka bërë thirrje të burgosurve shqiptarë që të mblidhen në oborr, “e pastaj, nga kullat vëzhguese dhe nga pjesë të mbyllura të burgut, policët i kanë bombarduar ata me mina-hedhës, me breshëri me armë zjarri, dhe i kanë gjuajtur me bomba dore, duke vrarë dhe plagosur rreth 80 persona.”
Më vonë thuhet se të nesërmen, “të burgosur me kombësi serbe e malazeze, të armatosur… nga kullat vëzhguese dhe nga pjesa e jashtme e murit të burgut, kanë qëlluar me granata-hedhës dhe me armë zjarri drejt pjesës së mbyllur të burgut, në të cilën pjesë në ato momente ndodheshin të dënuarit shqiptarë; ata kanë hyrë në pjesën e brendshme të burgut dhe në puset ku të burgosurit shqiptarë përpiqeshin të fshiheshin, u kanë hedhur granata dore” duke vrarë rreth 80 deri në 100 persona.
Nga rezultatet e hetimeve jozyrtare që Peščanik ka arritur të grumbullojë, thuhet se një i burgosur serb me nofkën Zenica, “u jepte fund“ të mbijetuarve, duke u thyer qafën me dredhje koke ose duke i qëlluar me plumb.
Për të “sanuar terrenin”, respektivisht për të transferuar kufomat që ishin në dekompozim e sipër, për në varrezat e fshatit Rakosh, në mënyrë rutinore angazhoheshin disa romë që ishin të punësuar në shërbimin komunal të Istogut. Në varrezat myslimane, 97 trupa ishin varrosur “në mënyrë korrekte”.
Megjithatë, janë shënuar edhe akuza si ajo sipas të cilës i burgosuri nga Beogradi me nofkën “Limun”, i armatosur dhe me maskë në kokë, ka udhëhequr grupin e të burgosurve serbë të cilët kishin për detyrë transferimin e kufomave në varrezën masive në një vend të panjohur nën malin Mokra Gora, rreth njëzet kilometra nga Dubrava. “Varri masiv është hapur me ekskavator në mënyrë ‘zig-zage’ dhe kur është mbushur me kufoma, është mbuluar me shkurre dhe degë.”
Deri më sot akoma nuk është përcaktuar numri i saktë i të vrarëve në burgun e Dubravës, i cili gjatë kohës së bombardimeve i ishte dorëzuar komandës së grupit të kombinuar policor-kriminel serb. Besohet se më së shumti njëzet vetë janë vrarë nga dy sulmet ajrore të aeroplanëve të NATO-s, apo që si rezultat i lëndimeve kanë vdekur më vonë në spital apo gjatë evakuimit; me siguri një numër i të burgosurve janë vrarë edhe gjatë përpjekjeve për të ikur, pasi që me rastin e bombardimit ishte thyer njëri prej mureve të jashtme të burgut. Shumica e 97 kufomave të zhvarrosura në fshatin Rakosh ishin qëlluar brenda zonës së burgut. Sipas llogaritjeve jozyrtare, nga listat përfundimtare të të vdekurve dhe të mbijetuarve të Dubravës mungojnë edhe afërsisht 120 persona.
Translated by Murlan Jasiqi
Peščanik.net, 23.01.2014.